Review from Bekim Lumi

Natyra e mrekullueshme, pishat, lisat, lulet, dielli, hijet, ajri i paster, uji i ftohtë i krojeve, zogjtë, kitrrat, shqiponjat, fushat, bregoret, majat e maleve, peizazhi përreth e shumë bukuri të tjera janë pjesë e kësaj perle magjike, e cila të ban për vete në çdo çast të qëndrimit në këtë atraksion të pashoq turistik.

Vilat e ndërtueme me mjeshteri, përkushtim e shije, të ngjashme me çdo standard euro-perendimor, të ofrojnë freski, ngrohtësi e komoditet të jashtëzakonshëm për qëndrim, shetitje, pushim, gjumë, paqe e qetësi. Si një kunore masive mbretnore, mbi supet e këtij kompleksi turistik, me krejt madhështinë e bukurinë e saj, në një lartësi mbidetare prej mbi 2.400 metrash, shtrihet Maja e Hajles, të cilën ju, me pak mundim e ecje malore gjatë ditës, mund ta pushtoni me trupin, me sytë, me mushknitë e me zemren tuej. Ngjitja në këtë majë përrallore malore, atje ku toka puthet me qiellin, asht përjetimi ma i bukur i mundshëm.

Në krahet e Hajles shtrihen edhe maja të tjera poaq të bukura, të cilat e rrethojnë nga të gjitha anët këtë fshat të bukur. Fshati Turistik “N’mal” asht aventurë dhe përjetim i vërtetë jo vetëm fale bukurive natyrore, por edhe falë kujdesit dhe mikpritjes bujare të familjes Nikçi, e cila ne çdo çast të qëndrimit ofron zgjidhje për të gjitha kërkesat e vizitorëve.

Unë dhe anetarët e familjes time këtë përkujdesje dhe perjetim të veçante, bashkë me bukuritë përrallore të kësaj perle turistike, po i përjetojmë për herë të dytë gjatë kësaj vere.

Ju ftoj qe sa ma shpejtë të niseni dhe, me mendje, trup, sy e zemer, ta shijoni këtë përjetim të vërtetë magjik!